FC BESA

Lavdrim Poliku – Rrëfimi i një rikthimi me zemër dhe passion

12/07/2025 · Lajme

 

“Gjelbërimi i një mali tregon thellësinë e pastërtisë së shpirtit të një luftëtari për një qëllim.”
Ky citat më përshkruan më mirë se çdo fjalë tjetër. Sepse edhe kur gjithçka heshti përreth meje, edhe kur zhurma e tribunave u shua për pak kohë në jetën time, brenda meje nuk pushoi kurrë një zë i brendshëm – zëri i pasionit për futbollin.

Pas një kohe të gjatë të kaluar në fushën e blertë me FC Shkupi, mes sfidash, përpjekjesh dhe mësimesh të shumta, erdhi një moment kur u detyrova të ndalem. Ishte një pauzë dyvjeçare, një largim i heshtur, por asnjëherë një dorëzim. Ndërkohë që koha kalonte, zemra ime ende rrihte me ritmin e futbollit. Ende ndieja aromën e barit të freskët, zhurmën e topit që godet rrjetën, dhe emocionin e një goli në minutat e fundit.

Dhe pastaj ndodhi ajo që e quaj fat, por që ndoshta ishte thirrja e shpirtit: disa shokë, dashamirë, më kërkuan të rikthehem. Nuk ishte ndonjë ofertë e madhe, as ndonjë glamur i zakonshëm ishte thirrja e një klubi që e mbaj në zemër, klubi i vendit tim, i lagjes, i rrënjëve të mia – FC Besa Shkup.

Ishte një zgjedhje e ndjeshme. Kisha dyshime, por dashuria për lojën ishte më e madhe se çdo pasiguri. Pranova të aktivizohem për FC Besa në Ligën e 4-të rajonale të Maqedonisë së Veriut. Nuk ishte e lehtë. Kishim sfida nga dita e parë, ishim në një ligë të fortë, ku asgjë nuk ishte e sigurt , as kampioni. Ndryshe nga ligat tjera ku fituesit dihen me muaj përpara, tek ne çdo pikë kishte peshë, çdo ndeshje kishte peshën e një finaleje.

Dhe luftuam. Luftuam si vëllezër, si një familje e vërtetë. Ndeshje pas ndeshje, pengesë pas pengese. Deri në fund. Dhe në fund – ia dolëm! U shpallëm kampionë të sezonit 2024/25. Me djersë, me mund, me besim.

Balotazhi ishte një tjetër betejë. E para na iku nga duart, por nuk u dorëzuam. Me më shumë zemër, me më shumë besim, balotazhin e dytë e fituam dhe i dhamë fund një rrugëtimi të mrekullueshëm me promovimin në Ligën e 3-të një arritje që do ta kujtoj përjetë.

Sot që shkruaj këto fjalë, me kokën lart dhe sytë plot krenari, e di që kjo nuk ishte vetëm një sezon. Kjo ishte një dëshmi që zemra e një lojtari nuk ndalet kurrë së rrahuri për fanellën që dashuron. Jam krenar që mbajta shiritin e kapitenit në këtë rrugëtim. Ishim një skuadër që nuk u lëkund nga stuhitë, një shembull i qëndrueshmërisë, i durimit dhe i besimit në vetvete.

Unë jam Lavdrim Poliku. Kjo është historia ime. Dhe kjo është FC Besa – klubi i zemrës, klubi i krenarisë.

Shpërndaj: Facebook X